Kultura Kombetare shqiptare deri ne lidhjen e prizrenit

RRETHANAT EKONOMIKO-SHOQËRORE DHE POLITIKE
TE SHQIPTARËT NË PERIUDHËN E FORMIMIT TË KOMBIT

Shqiptarët, siç dihet, janë “pasardhësit e ilirëve të vjetër”. Në viset ballkanike ku ata u shtrinë në periudhën parakombëtare janë autokton dhe vjetërsia e tyre shtrihet, së paku, në periudhën historike mediterane-pellazgjike, përkatësisht epike homerik. Këto të dhëna historiografike i përmend për shkak se kultura, tradita shqiptare, doket dhe zakonet, tërheqin rrënjët në mugëtira të kohës. Kultura shpirtërore e materiale e pasardhësve të popullit shqiptar shërben si bazë, përkatësisht adstrat, por edhe për superstrati e kulturës shpirtërore dhe materiale të popujve fqinjë të vendosur në viset ilire periudhën antike dhe mesjetare.
Zhvillimi ekonomik, shoqëror e politik i popullit shqiptar kaloi të gjitha fazat e zhvillimit të shoqërisë njerëzore. Ky popull lashtoballkanik periudhën e gjatë historike të bashkësisë shoqërore popull (deri në fund të shek. XI përkatësisht XV) të mes kategorisë shoqërore-historike kombësi (deri në pjesën e dytë të shek. XVIII) dhe të kombit, si kategori historike (nga vitet 70 të shek. XVIII), i jetoi në përpjekje të vazhdueshme për çlirimin dhe mëvetësinë ekonomike, shoqëror dhe kulturor, t’i quajmë, mundësisht, kombëtare

Në shek. XVIII, në viset me shqiptarë, vazhdoi shëthurrja e shpejtuar e sistemit feudal timariot dhe nisi rritën ritmike sistemi çifligar, ekonomia monetare, formimi i tregjeve ndërkrahinore, lidhja e tregut shqiptar me tregun ndërkombëtar. Pas reformave centraliste të Tanzimatit (1839), u shpejtësua shembja e shoqërisë esnafore, nisi të forcohet mënyra e prodhimit kapitalist dhe zuri fille baza ekonomike dhe superstruktura e shoqërisë së re shqiptare borgjeze. Nga vitet 70 të shek. XVIII deri në fund të viteve 20 të shek. XIX, pra para reformave centraliste, viset shqiptare kishin përjetuar një zhvillim ekonomik më të madh se viset e tjera të Perandorisë osmane. Në këtë kohë Shqipëria (Arnautllëk, Albani), si vis periferik i Perandorisë osmane, hyri në epokën e Revolucionit Demokratik Borgjez shumë para se të hynte qendra e Perandorisë. Kjo solli si rezultat fillet e hershme të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të manifestuara përmes aktivitetit politik, administrativ, mbrojtës, kulturor dhe arsimor iluminist të shumë krahinarëve e fisnikëve shqiptarë në Kosovë, Maqedoni, Shkodër, Berat, Janinë e gjetkë.

Realisht nga vitet 50 të shek. XVIII në Gegëri (Shqipëri e Epërme), kurse nga vitet 80 në Toskëri (Shqipëri e Poshtme), u bënë përpjekje për fitimin e autonomisë, që duhej të shpinte në pavarësinë e Shqipërisë. Lëvizja shqiptare nën Bushatasit dhe Tepelenasin deri në fund të viteve 20 të shek. XIX u hapën rrugë lëvizjeve kombëtare të popujve fqinjë.

Në periudhën historike të formimit dhe të formësimit të kombit shqiptar viset e banuara me shqiptarë mbanin pozita të mira ekonomike, kulturore dhe strategjike në Ballkan. Bregdeti i banuar me shqiptarë kapte një gjatësi prej 500km dhe ishte i pasur me ujdhesa, siujdhesa, vise fushore, me skele e qytete të zhvilluara ekonomike dhe zejtare. Në “hinterland”, përkatësisht në brendi të Ballkani, shqiptarët banonin, në masë gati absolute, tokat pjellore të Dukagjinit, të Kosovës, të Toplicës, të Kosaonicës, të Preshevës, të Kumanovës, të Shkupit, të Tetovës, të Kërçovës dhe të viseve të Artës e të Janinës. Sipas përkufizimit hartografik etnografik dhe gjeo-politik që ua bëri këtyre viseve Johan Cam Hobhouse - Lordi Broughton ( që ishte në Janinë, më 1809, së bashku me Bajronin , e të cilat do t’i saktësojë, nga aspekti enciklopedik Sami Frashëri , viset shqiptare (Arnatlluku) shtriheshin në 39* me 43* të gjerësisë verior dhe në 17* me 20* të gjatësisë lindore dhe përfshini mbi 62.500 km2. Në këtë territor, dhe veçanërisht në brez, përkatësisht në viset periferike, jetonin edhe popullsi joshqiptare në masë të konsiderueshme.

Numri i banorëve albanofon në periudhën e formimit të kombit është vështirë të saktësohet. Megjithatë, duke pasur për bazë statistikat aproksimative të mëvonshme, mund të konstatohet se në këtë periudhë historike të popullit shqiptar kishte rreth 1.400.000 deri në 1.800.000 frymë. Në vitin 30 të shek. XIX Ami Boué solli numrin aproksimativ prej 1.600.000 frymë, kurse sipas Mihaillo Polith Desançiqit, në fillim të viteve 60 të shek. XIX, kishte vetëm 1.500.000 shqiptarë. Nga fundi i viteve 70 të shek. XIX, sipas Pashko Vasës, Shqipëria e Epërme (Gegëria) kishte 1.200.000 shqiptarë, kurse Shqipëria e Poshtme (Toskëria) kishte 600.000, pra gjithsej 1.800.000 shqiptarë. Të dhënat që analitikët frëng ia ofruan Kongresit të Berlinit , më 1878, kundërshtohen me të dhënat e Pashko Vasës, sepse sipas tyre aso kohe kishte 1.400.000 shqiptarë, ku vetëm 600.000 ishin gegë. Greqia, më 1870, pati 1.458.000 banorë (1.200.000 grekë) dhe përfshinte 50.123 km2; Serbia, më 1875, kishte 1.366.000 banorë (1.100.000 serbë) dhe përfshinte rreth 43.535 km2, kurse Mali i Zi. më 1864, kishte 4.427 km2 dhe 196.000 banorë. Maqedonasit në këtë kohë nuk ishin diferencuar si komb dhe jetonin në gjirin e kombit bullga. Sami Frashëri, në vitet 90 të shek. XIX, vërtetonte se Shqipëria kishte 2.500.000 banorë, prej të cilëve 500.000 ishin popullsi vllehe, greke, maqedonase, jevge, serbe[, kurse sipas sintezës historiografike shqiptare më të re, në mesin e shek. XIX, në Ballkan shqiptarët u shtrinë në një sipërfaqe prej 75.000 km2, ku në të ashtuquajturin “trung etnik” (52.000km2) jetonin 1.100.000 banorë, prej të cilëve 86.3% shqiptarë, kurse në brez (23.000km2) jetonin 500.000 banorë, midis të cilëve 30,3% shqiptarë.

Kështu, numri i banorëve shqiptarë në periudhën e formimit të kombit, ndonëse ishte i vogël, ishte prapë diçka më i madh ose përafërsisht sa edhe numri i grekëve dhe i serbëve. Megjithatë, kjo popullsi shqiptare, në këtë periudhë historike, pati disa përparësi politike dhe ekonomike, krahasuar me popujt fqinjë, sepse shqiptarët qeveriseshin prej krahinarëve dhe bujarisë shqiptare, të cilët përpiqeshin të shkëputnin viset shqiptare nga Perandoria osmane. Në këtë drejtim shumë më larg shkuan Bushatasit dhe Tepelenasi , të cilët vendit i hapën rrugë të zhvillimit shoqëror kapitalis. Mirëpo, popullsia shqiptare sado që në aspektin etnokulturor popullor ishte monolite, në aspektin kulturor aktual kombëtar në mundësi zhvillohej në suaza të komuniteteve fetare: myslimane, ortodokse dhe katolike. Feja islame u bë fe e pjesës më të madhe të popullsisë albafone aty nga fundi i shek. XVII. Procesi i islamizimit të popullsisë shqiptare u ndërpre nga mesi i viteve 40 të shek. XIX, kur në çështjet fetare, në Shqipëri, ndërhyri faktori krishterë evropian Se me çfarë përqindje përfaqësohej populli shqiptar në këto tri komunitete fetare në këtë kohë nuk dihet me saktësi. Të dhënat e mëvonshme flasin se, në prag të Luftës ballkanike (1912), shqiptarët e fesë myslimane arrinin deri në 80% të shqiptarëve. Realisht sipas të dhënave të konsullit vjenez, Lippich , më 17 mars 1887, në sanxhakun e Prishtinës, Prizrenit, Nishit, Shkupit, Jeni Pazarit, Pirotit në një popullsi shqiptare prej 404.000 frymësh, katolikë ishin vetëm 15.000 ose 3.7%, Ndërkaq, e dhëna që analitikët frëng ofruan Kongresit të Berlinit, “se gegë shqiptarë ka 600.000 frymë”, ku prej të cilëve, “2/3 janë myslimanë”, është plotësisht e pasaktë. Ndërkaq numri 800.000 për toskët, më 1878, prej të cilëve 25% ortodoksë, që iu prezantua Kongresit të Berlinit, është përafërsisht i saktë.

Nëse numrit të shqiptarëve, në atdhe, ia shtojmë edhe numrin prej rreth 200.000 arbëreshëve në Itali, dhe, po aq edhe në Greqi, mandej në Istër, Zarë dhe Srem, që ishin ortodoksë dhe katolikë, numri i përgjithshëm i shqiptarëve të krishterë, në pjesën e dytë të shek. XVIII dhe në pjesën e parë të shek. XIX, mund të kalonte 30% - shin nga numri i përgjithshëm i albanofonëve, prej të cilëve rreth 10% katolikë. Përqindjen e shqiptarëve, sipas komunitetit fetar, e përmendim për shkak të faktit historik se, siç u përmend edhe më parë, kultura shqiptare materiale dhe shpirtërore e periudhës së popullit dhe të kombësisë shqiptare është zhvilluar brenda ledhit të komunitetit fetar. Ky fenomen, në kulturën shqiptare, ishte i pranishëm edhe në periudhën e iluminizmit dhe të fazës së parë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, por edhe në fazat tjera të Rilindjes dhe në periudhën e pavarësisë shqiptare. Hallka që i lidhte këto pjesë të kulturës shqiptare në një njësi të kulturës ishte gjuha shqipe , emri kombëtar i popullit dhe emri kombëtar dhe ndërkombëtar i vendit.

Në zhvillimin e kulturës materiale dhe shpirtërore të popullit shqiptar, në periudhën e formimit të kombit, krahas faktorëve ekonomik e kulturor-politikë, la vulën e vet edhe përbërja sociale e strukturës shoqërore. Fryma e shekullit të ri, në viset shqiptare, është e vjetër, e periudhës së Humanizmit dhe të Renesancës , por fillet e mirëfillta të shoqërisë së re shqiptare i gjejmë në kohën e Bushatasve dhe të Tepelenasit, kur Shqipëria, realisht, ishte kthyer kah Evropa e revolucionarizuar borgjeze demokratik. Në vitet 30-40 të shek. XIX, në luftërat për çlirimin kombëtar dhe social pësoi baza ekonomike dhe shoqërore e shoqërisë së re shqiptare. Reformat centraliste osmane Shqipërisë i sollën vetëm dëme. Në këtë kohë, rreth 87% të popullsisë, në viset me shumicë albanofone, jetonin në fshat, kurse vetëm 13% në qytet. Megjithatë, në vitet 60 të shek. XIX u futën marrëdhëniet kapitaliste në prodhimtarin industriale, e këto marrëdhënie në bujqësinë shqiptare u futën në vitet 70 të shek. XIX, në mënyrë që, në fille të aktivitetit organizativ politik e ushtarak të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, shtresat mikroborgjeze shqiptare në përgjithësi të arrinin rreth 84%. Elementi bujqësorë çifçinj, në këtë kohë, përbënte 14-16% të masave prodhuese. Në kolonitë shqiptare të Italisë marrëdhëniet ekonomike kapitaliste, si dhe idetë iluministe e rilindëse borgjeze, u zhvilluan në rrjedhë progresive - me hapin e zhvillimit të shoqërisë borgjeze demokratike italiane dhe evropiane. Lidhja e kolonive shqiptare të Italisë me atdheun, Shqipërinë, sa vinte dhe rritej si kërkesë që shtronte koncepti i integrimit kulturorë e politik kombëtar shqiptar.

Populli shqiptarë, në atdhe dhe në koloni, mbijetoi në saje të kulturës të lashtë dhe të aftësisë së kësaj kulture për t’u përballuar dhunave të jashtme, për t’u brumosur me përmbajtje të reja dhe për t’u zhvilluar me hapin e provokimeve të kohës, e zonja të ruaj tiparin e autoktonisë, si ndërgjegje shqiptare.

1 Like